Libani tha se nga sulmet me dronë të kryera nga Izraeli më 10 qershor, janë vrarë një burrë dhe djali i tij në një fshat në jug të vendit.
Ky është sulmi i fundit vdekjeprurës, pavarësisht një armëpushimi të arritur në nëntor. Izraeli tha se të vrarët ishin militantë.
Ministria Libaneze e Shëndetësisë tha përmes një deklarate se “dronët e Izraelit armik kryen një sulm në fshatin Sheba, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur një tjetër”.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban, të vrarët ishin babai dhe djali i tij, ndërkaq djali tjetër i viktimës mbeti i plagosur.
Ushtria izraelite tha se ka vrarë një anëtar të Hezbollahut dhe një operativ të Brigadës Libaneze të Rezistencës, që është një grup i lidhur me grupet militante të mbështetura nga Irani.
Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.
Në njoftimin e ushtrisë izraelite thuhet se dy burrat “posedonin armë të përdorura nga Hezbollahu për qëllime terroriste dhe për vëzhgimin e ushtarëve izraelitë në rajonin afër kufirit”.
Izraeli ka bombarduar në mënyrë të vazhdueshme Libanin, pavarësisht armëpushimit të nëntorit, që i dha fund më shumë se një viti armiqësish me Hezbollahun, përfshirë edhe dy muaj lufte në shkallë të plotë.