
Sot është fakt që Shqipëria është një nga vendet me rritjen më të madhe të numrit të turistëve.
Vitet e fundit vendi ynë është bërë atraksion turistik për miliona të huaj, të cilët vijojnë të kthehen për pushime.
Por pavarësisht përvojës së fituar gjatë viteve të fundit, sërish ka vend për përmirësime.
Eksperti i turizmit Leonard Maçi, i ftuar në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, theksoi se problemi më i madh që haset sot në turizmin shqiptar është mungesa e një stafi profesionist.
Sipas tij kjo vjen pasi biznesmenët shqiptaë refuzojnë të trajnojnë stafin.
Pjesë nga biseda:
Leonard Maçi: Shpeshherë ndodh që investitorët në Shqipëri janë ata që identifikohet tek strukturat akomoduese, pak janë investitorët që i mëshojnë pjesës edukuese te ajo që kanë bërë. Investitori është i izoluar në mënyrën e tij të të vepruarit, ai investitor thotë, si ai që jam i zoti që marr lejen e ndërtimit, jam i zoti mos kërkojë ndihmë për pjesën që vjen pas. Shpeshherë investitorët janë fakttotum të të gjithë strukturave apo sipërmarrjeve që ata bëjnë, unë e bëj vetë, unë nuk kam nevojë, mjafton të kem një kuzhinier të mirë dhe mermer të bukur dhe unë e kam bërë turizmin.
Borakaj: Ndonjëherë e shesim për krenari, themi nga tulla deri te kuzhina i kam bërë të gjitha vetë.
Leonard Maçi: Në fakt tradita e investimeve në turizëm në shtëpi kështu ka filluar.