
Eksploruesi Anri Pashaj tha në studion e Quo Vadis në Vizion Plus se gjarpërinjtë rrinë nëpër mure me gurë, rrënoja dhe ndërtesa të vjetëra.
Pashaj deklaroi se njohja me habitatin dhe mënyra se si i shmangesh gjarpërinjve është shumë më e rëndësishme sesa mbështetja te barnat e zakonshme që mund të merret me vete në pushime apo ekskursione.
“Njerëzit nuk duhet të bazohen vetëm te ilaçet që kanë marrë me vete, por duhet të bëjnë sytë katër. Këta gjarpërinj kanë habitatin e tyre të shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Hundrakos ose hundza haset deri në gati 1950 metra mbi nivelin e detit, që është shumë lart. Nuk duhet të mbështetesh shumë te ilaçet që merr me vete, por te identifikimi i asaj që ke përpara dhe si t’i shmangesh. Nepërka hundrako, që ka ngjyrë me rombe bezhë dhe bojë kafe, ngjyrë tullë, është një nga ata gjarpërinj që rri “serbes”.
Nëse gjarpërinjtë e tjerë ndjejnë tronditje dhe largohen, ky rri aty. Mund t’i largohesh ti, se ai nuk lëviz nga vendi. Kur shkojmë në natyrë, ku nuk ka shumë ndërhyrje urbane, duhet të kemi parasysh se këta e kanë habitatin e tyre te gurët. Nëse shihni ndërtesa të vjetra, mure me gurë, rrënoja, ka shumë gjasa që të jetë aty. Kjo është mënyra se si ata gjuajnë, si gjejnë folezën e tyre , aty rrinë, domethënë, nëpër rrënoja e mure të vjetra”, tha Pashaj.
/vizionplus.tv