Të paktën 16 persona kanë humbur jetën gjatë protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë në Kenia të mërkurën, shumica prej tyre të vrarë nga forcat e policisë.
Protestat u organizuan për të përkujtuar demonstratat vjetore të një viti më parë, ku më shumë se 60 njerëz humbën jetën gjatë përplasjes kundër një projektligji për taksat, që kulmoi me sulmin ndaj parlamentit kenian.
Mijëra qytetarë kenianë dolën sërish në rrugët e Nairobisë dhe qyteteve të tjera, për të kërkuar llogaridhënie dhe reforma. Sipas mediave lokale, policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Ngjarja shënon një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes qytetarëve dhe autoriteteve, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut po kërkojnë hetim të pavarur mbi përdorimin e dhunës nga policia dhe trajtimin e protestuesve.
Amnesty Kenya ka paralajmëruar për rrezikun e shtimit të dhunës shtetërore, nëse nuk ndërmerren hapa të menjëhershëm për të mbrojtur të drejtat qytetare dhe për të garantuar transparencë nga autoritetet.