Kryeministri i Kosovës, Albin kurti ka folur për mediat pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, ku sërish nuk pati asnjë rezultat për arritjen e konstituimit të Kuvendit.

Kurti falenderoi përfaqësuesit politikë të cilët ju përgjigjën pozitivisht ftesës së tij për takim, ndërsa theksoi se ndërtimi i institucioneve, përfshirë Kuvendin, është një detyrë që bie mbi të gjitha forcat parlamentare.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë të qartë se nuk është ajo që zgjidh përplasjet politike mes grupeve parlamentare. Gjykata ka kërkuar dialog, bashkëpunim dhe marrëveshje në frymë mirëbesimi, dhe ne kemi ndërmarrë hapa konkrete në këtë drejtim,” u shpreh Kurti.

Më tej kryeministri në detyrë i qeverisë së Kosovës theksoi se gjatë takimit me përfaqësuesit politikë ju kishte paraqitur dy propozime kompromisi, por që sipas tij nuk u pritën me mirëkuptim nga opozita.

Kompromisi i parë ishte që nëse kandidatja jonë për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk merr mbështetjen e mjaftueshme në votim, ajo do të tërhiqet. Ky ishte një hap i rëndësishëm nga ana jonë, por nuk pati reflektim. Ndërsa kompromisi i dytë konsistonte në një marrëveshje të paketuar që përfshinte emërimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit,” shpjegoi ai.

Ndërkohë më herët pas takimit kreu i LDK Lumir Abdixhiku dhe ai i PDK-së Memli Krasniqi deklaruan se ftesa ishte farsë dhe se nuk kishte qëllim për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.

Kujtojmë që dy ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi një afat 30 ditor që palët të arrijnë një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.