
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së mbështetjes nga Polonia në luftën kundër agresionit rus, duke e cilësuar si “jashtëzakonisht të rëndësishme” për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Deklarata e tij erdhi gjatë një konference për shtyp në Kiev me presidentin në largim të Polonisë, Andrzej Duda.
“Polonia ka qenë një mbështetëse kyçe për Ukrainën, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në strukturat euroatlantike. Është thelbësore të ruajmë këtë partneritet dhe të vazhdojmë një dialog të ndërsjellë me respekt,” u shpreh Zelensky.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur Polonia po përgatitet për një ndryshim politik me zgjedhjen e presidentit të ri Karol Nawrocki, një figurë nacionaliste e mbështetur nga Donald Trump, i cili gjatë fushatës ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Ukrainës dhe ka kërkuar uljen e përfitimeve për refugjatët ukrainas.
Pavarësisht kësaj, presidenti në largim Duda shprehu optimizëm për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Jam i bindur se Nawrocki do të ndërtojë marrëdhënie të mira me Ukrainën. Nga zyra e presidentit, realiteti duket ndryshe nga fushata elektorale,” deklaroi Duda.
Polonia ka pritur mbi një milion refugjatë ukrainas që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, por ndjeshmëria publike ndaj tyre është zbehur gjatë muajve të fundit, duke krijuar një sfidë të re për marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.