Presidenti amerikan, Donald Trump ka arritur të martën në Holandë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, teksa aleatët evropianë zotohen për rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtje.

Trump ka qenë kritik ndaj anëtarëve të NATO-s ndër vite, duke i akuzuar aleatët evropianë se kanë përfituar falas nga shpenzimet amerikane në mbrojtje, dhe madje i ka rritur dilemat për një tërheqje amerikane nga aleanca.

Ai u ka kërkuar aleatëve që të shpenzojnë 5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm (GDP) në mbrojtje, një rritje e konsiderueshme prej targetit prej 2 për qind të vendosur më 2014.

Në një draft të komunikatës së samitit përmendet përkushtimi për Artikullin e Pestë të paktit të mbrojtjes dhe që vendet anëtare do t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5 për qind deri më 2035.