Irani nuk do të marrë pjesë në raundin e radhës të diskutimeve mbi programin e vet bërthamor me Shtetet e Bashkuara, që ishte planifikuar të mbahej në Oman të dielën.

Televizioni shtetëror i Omanit ka raportuar gjithashtu se bisedimet u pezulluan deri në njoftim të mëtejshëm pas sulmeve të Izraelit ditën e premte.

Megjithatë presidenti amerikan Donald Trump tha për mediat ndërkombëtare se nuk është më e sigurt nëse programi bërthamor i Iranit ekziston pas sulmeve të Izraelit.

Trump tha se ai u përpoq ta shpëtonte Iranin nga poshtërimi dhe vdekja dhe shtoi se pavarësisht situatës, nuk është vonë për një marrëveshje.

“Ata po më telefonojnë për të folur”, tha Trump për NBC News pa specifikuar se kush po e telefonon.

Në një intervistë për Axios Trump se sulmet e Izraelit ndaj Iranit mund të ndihmojnë përpjekjet për të siguruar një marrëveshje bërthamore me Iranin.

I pyetur nëse mendonte se sulmet e rrezikonin procesin, Trump tha: “Nuk mendoj kështu. Ndoshta e kundërta. Ndoshta tani ata do të negociojnë seriozisht.”

Shtëpia e Bardhë tha se Trump ka pasur biseda telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në lidhje me zhvillimet e fundit.

Ndërkohë Axios raporton se Shtetet e Bashkuara janë duke ndihmuar Izraelin që të rrëzojë raketat iraniane.

Më herët dy zyrtarë I thanë Associated Press se SHBA po afron burime ushtarake drejt Lindjes së Mesme, për të qenë në gatishmëri për kundërpërgjigjen e Iranit. Disa anije janë urdhëruar të afrohen në Mesdheun Lindor.

Ndërkohë situate e tensionuar në rajon, është bërë shkak për anulimin e një konference te nivelit te larte te OKB per nje zgjidhje me dy shtete ne konfliktin Izrael-Palestine.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi lajmin, duke shprehur vendosmerinë per ta njohur një shtet palestinez.