SHBA- Lojtarët e Botafogos mposhtën Paris Saint-Germain me rezultatin 1:0 në ndeshjen e raundit të dytë të Grupit B në Kupën e Botës për Klube. Shënuesi i golit të vetëm në ndeshje ishte Igor Jesus në minutën e 36-të.

Lojtarët e Atletico Madridit mposhtën skuadrën amerikane të Seattle Sounders FC  me rezultatin 3:1 në raundin e dytë të Grupit B.

Trajneri Ledio Pano, u shpreh në emisionin “Botërori i Vogël” në ABC News se kampionatin Botëror të Klubeve do të shoqërohet me surpriza.

Ai theksoi se deri tani duket që ekipet e Argjentinës dhe Brazilit po tregojnë oreks të shtuar në këtë kompeticion, i cili po zhvillohet në Shtete e Bashkuara të Amerikës.

“Mund të ketë surpriza, sepse me çfarë po shohim, ekipet e Argjentinë dhe Brazili e kanë me shumë qejf dhe me shumë ritëm. Lodhja e ekipeve të mëdha duket se vjen vetvetiu.

Duke parë edhe deklaratën e të dy trajnerëve pas ndeshjes, trajneri i Botafogo tha se kishim përballë një ekip shumë të mirë dhe e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur ishte një mbrojtje e hekurt dhe një kundërsulm, që të shënonte golin”, pohoi ai.

Trajneri Ermal Tahiri, theksoi se ekipet nga Brazili dhe Argjentina kanë avantazhe pasi i përshtaten më lehtë temperaturave të larta.

Ai u shpreh se PSG nuk e meritonte humbjen, por megjithatë llogaritë janë aktive dhe francezët do vijojnë rrugëtimin në këtë kompeticion sportiv.

“Ambientohen më shpejt me temperaturat e larta. Nuk e meritonte të humbte sfidën PSG, ndoshta barazimi do ishte rezultat më i përshtatshëm.

Ajo që mund të them për PSG është se do vinte dita që do humbte, sepse në futboll ka edhe ditë të keqe dhe i erdhi dita që të humbiste me Botafogo”, theksoi ai./abcnews.al