
Nga viti 2016, Bashkia Tiranë nisi aplikimin e taksës së përkohshme që njihet me emrin taksa e infrastrukturës arsimore.
Qëllimi ishte për t’i dhënë prioritet rikonstruksionit të objekteve arsimore në kryeqytet. Por nëntë vite nga zbatimi i saj, 2025 është afati i fundit që kjo taksë do të jetë në fuqi.
Lajmin e bëri të ditur numri dy i Bashkisë Tiranë, Jonida Halili gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus.
“Lajm i mirë për qytetarët, sepse do çlirohen nga barra e taksës, por lajm jo i mirë pasi kjo për ne ishte një taksë e rëndësishme, për një qëllim madhor, siç janë objektet arsimore. Kjo taksë e ka plotësuar ciklin e saj. Nisi në 2016 deri në 2022 me një afat 7-vjeçar. Më pas u shty me një afat 3-vjeçar deri në 2025. Ligji përcakton se vetëm dy herë mund të shtyhet afati i saj. Pra nga viti i ardhshëm familjet dhe bizneset nuk do të paguajnë më taksën e përkohshme arsimore në Tiranë”, sqaroi Jonida Halili.
Por të ardhurat e kësaj takse ishin zë i jo i vogël në arkën e buxhetit të Bashkisë së Tiranës.
“Janë rreh 5 milion euro që do të mungojnë në buxhetin e bashkisë”, tha Halili.
Kategoria e familjeve paguan 1800 lekë në vit, të ndarë në mënyrë të barabartë 150 lekë në faturën e ujit, çdo muaj këtë taksë. Ndërsa te kategoria biznese kjo taksë nis nga 4.000 lekë në vit, deri në 37.000 lekë në varësi të aktivitetit ekonomik.
Detyrimet e biznesit paguhen brenda datës 20 Prill. /vizionplus.tv