Nëse ka dy profesione që po sfidojnë bizneset në vend, ato janë profesioni i kamerierit dhe i banakierit.

Lajmërimet për këto dy pozicione pune i sheh të afishuara në çdo cep të kryeqytetit, thuajse çdo muaj, duke u kthyer në dy profesionet më të paqëndrueshme.

Të dhënat flasin se këto janë dhe dy pozicionet më të kërkuar bazuar dhe në nivelin arsimorë në zyrat e punës

Astrit Kurti, sipërmarrës turistik, gjatë një interviste në Vizion Plus për emisionin “E-ZONE” thotë se këto dy profesione nuk shihen si afatgjatë nga individët.

“Njoftimet për vende të lira pune për këto dy pozicione për ne të fushës turistike vlejnë për punëtorët ndihmës. Ne kamerierët dhe banakierët i kemi stabël gjatë gjithë vitit, duke i mbajtur në pune. Por sa herë vjen sezoni nevojat shtohen dhe jemi në kërkim për staf mbështetës. Është për të ardhur keq, sepse në vendin tonë shqiptarët nuk e konsiderojnë profesion kamerierin/banakierin. E vlerësojnë si një punë afatshkurtër për të marrë disa para dhe më pas ndryshojnë punë. Ndërkohë jashtë vendit ndodh e kundërta, në sektorin e shërbimeve punojnë individë me experience”, tha Kurti.

E nëse bizneset turistike i marrin masat që në sezonin e dimrit për t’i paraprirë verës, kryeqyteti ka mungesa përgjatë muajve maj-shtator. Shkak i këtij fenomeni është edhe pagesa mujore. Paga e një kamerieri arrin deri në 70 mijë lekë në muaj.

“Nëse një pagë të tillë e merr vetëm për disa muaj ajo nuk do të jetë e mjaftueshme, por nëse e merr gjatë gjithë vitit të jep mundësinë e një minimumi jetese”, shtoi ai.

Sipas Kurtit ka ardhur koha që edhe bashkishi të përcaktohet në faturë si një vlerë  e caktuar. Do të jetë një motivim më shumë për kamerierët.

“Ajo çka ne shohim është se shqiptarët lënë më shumë bashkshish se të huajt. Kjo tendencë ka ardhur duke ndryshuar ndër vite, duke i bërë qytetarët tanë kërkues të një shërbimi më të mire”, tha Kurti në “E-ZONE”.

Në fillim të vitit paga mesatare në rang vendi arriti në 82 mijë lekë.

Pagat zyrtare më të larta i ofron administrata publike, ndërsa biznesi vijon të jetë në vorbullën evazionit të pagave, duke mos i deklaruar rrogat reale.

/vizionplus.tv