Presidenti Donald Trump ka përshëndetur sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj tri objekteve bërthamore iraniane, të ndërmarra në orët e para të mëngjesit të së dielës. Në një postim në platformën Truth Social, Trump i cilësoi goditjet si një “sukses spektakolar ushtarak”.
“Dëmet në objektet bërthamore iraniane thuhet se janë ‘monumentale’. Goditjet ishin të forta dhe të sakta. Ushtria jonë tregoi aftësi të jashtëzakonshme. Faleminderit!”, shkroi ai.
Sulmi ajror amerikan i mëngjesit të kësaj të diele u fokusua në tri pika kyçe të programit bërthamor të Iranit: Fordow, Natanz dhe Isfahan. Mjetet ajrore B-2 Spirit të forcave amerikane përdorën bomba të specializuara “bunker-buster”, të dizajnuara për të depërtuar në strukturat nëntokësore. Burime nga Pentagoni kanë konfirmuar se operacioni kishte si objektiv të pengonte avancimin e Iranit drejt një kapaciteti të mundshëm për prodhimin e armëve bërthamore.
Megjithëse Trump deklaroi se dëmet janë të mëdha, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) bëri të ditur se niveli i saktë i dëmtimeve në sallat e pasurimit të uraniumit në Fordoë nuk mund të përcaktohet me siguri për momentin, për shkak të mungesës së aksesit në terren.
IAEA ka bërë thirrje për përmbajtje dhe rikthim në diplomaci, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal dhe kontrollit ndërkombëtar mbi programet bërthamore./abcnews.al