1 korriku shënon zyrtarisht nisjen e zbatimit të marrëveshjes së pensioneve me Italinë. Nga e marta cilido që i ka lindur e drejta për përfitim nga kjo marrëveshje do të aplikojë.

Aplikimet do të bëhen pranë zyrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë dhe Italisë, por do të bëhen dhe online në portalin e-Albania, në varësi të rastit të përfituesve. Zyrtarë të ISSH-së Loreta Shkëmbi drejtore e marrëveshjes ndërkombëtare në ISSH gjatë një interviste në emisionin E-ZONE në Vizion Plus tha se pritet një fluks i lartë aplikimesh nga kjo marrëveshje.

“Ne kemi marrë masat që ti përgjigjemi në kohë këtij fluksi. Në faqen online të ISSH-së do të jetë një udhëzim i detajuar i rasteve dhe hapat që do të ndjekin përfituesit për aplikim. Paralelisht do të vëmë në dispozicion edhe një numër telefoni që të sqarojmë qytetarët për çdo paqartësi”, sqaroi Shkëmbi në Vizion Plus.

Dy zyrat e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë do të komunikojnë për çdo dosje me qëllim saktësimin e të dhënave për përfituesit. Pesë janë kategoritë që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.

“Në çdo rast pensioni përfitohet në bazë të kërkesës së individit. Për ta bërë më të lehtë aplikimin për këtë marrëveshje ne kemi formularin edhe në shqip dhe në italisht për aplikuesin. Ne presim që të kemi një numër të lartë aplikimesh vetëm me këtë shtet, mbi 500 të tilla në vit për shkak të numrit të lartë të individëve përfitues”, tha Shkëmbi.

Por kujdes, në plotësimin e dosjes duhet të reflektoni edhe vitet e punës që keni edhe në shtete të tjera të botës, me të cilat Shqipëria ka një marrëveshje për pensionet.

“Ne në total kemi gati 1500 kërkesa në vit që vijnë nga marrëveshjet ndërkombëtare. Në vend të parë janë kërkesat për pensione me Gjermaninë dhe më pas ato me Belgjikën. Por tashmë me hyrjen në fuqi të marrëveshjes kërkesat me këtë vend do të jenë në vend të parë. I bëjmë thirrje individëve që të deklarojnë çdo vit pune që kanë bërë dhe në shtetet e tjera, me të cilat ne kemi  marrëveshje”, sqaroi Shkëmbi në E-ZONE.

/vizionplus.tv