
Të gjithë emigrantët që u lind e drejta për të përfituar nga marrëveshja me Italinë, sipas fushave që ajo përmban, kanë mundësi që të kërkojnë asistencë edhe në zyrat e sindikatave të shtetit fqinjë.
Beskida Aliaj përfaqësuese e sindikatës ‘Inas Cisl” gjatë një interviste në emisionin E-ZONE tha se janë 1000 zyra në total, të shtrira në çdo qytet të Italisë që do të ofrojnë asistencë për çdo paqartësi që do të kenë emigrantët.
“Në zyrat tona mund të vijë çdokush që është subjekt përfitimi i kësaj marrëveshje. Duhet ta përforcojmë që nuk janë vetëm pensionistët që do të përfitojnë. Janë dhe ata që përfitojnë pagesë invaliditeti, pagesë papunësie dhe leje lindjeje. Ligji Italian parashikon që ky shërbim për plotësimin e dosjes për të përfituar nga kjo marrëveshje është pa pagesë, pra falas”, tha Aliaj në Vizion Plus
Sipas Aliajt, emigrantët shqiptarë duhet bëjnë kujdes me vitet e tyre të kontributeve, pasi ka raste që vitet mbivendosje, pra individi rezulton me sigurime për të njëjtin vit si në Shqipëri ashtu dhe në Itali
“Që kur nisi diskutimi mbi arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve, shumë shqiptarë nisën të blinin vitet e tyre të punës. Kjo dhe për shkak se në Itali ka një rregull që mjafton 42 vite punë dhe pavarësisht moshës t’i mund të dalësh në pension. Por ky nxitim i qytetarëve ka bërë që gabimisht të ketë mbivendosje vitesh, çka automatikisht pagesat e bëra nga njëri vend, nuk do të njihet”, sqaroi Aliaj
Aplikimet në shtetin italianë do të bëhen pranë zyrave të sigurimeve shoqërore që njihet me emrin INPS.