Në emisionin E-ZONE me gazetaren Rajmonda Lajthia, zyrtarë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhanë disa shembuj konkret të aplikimit për pension me shtetin fqinjë Italinë.

Shembujt janë raste konkrete mbi hapat që duhet të ndjekë individi për të aplikuar. Sipas legjislacionit shqiptar, një individ duhet të plotësojë minimum 15 vite punë për të përfituar pension, ndërsa në Itali duhet të kenë 20 vite punë. Marrëveshja synon bashkimin e periudhave.

Shembulli numër 1/ Aplikuesi është rezident në Shqipëri, përfiton pension shqiptar dhe kërkon të përfitojë edhe një pension në Itali.

Personi plotëson formularin e kërkesës për pension, i cili mund të shkarkohet nga faqja zyrtare e ISSH-së, në rubrikën “Marrëveshje ndërkombëtare” / Formular aplikimi për pension të huaj / Italia.

Kërkesa, e shoqëruar me dokumentacionin përkatës, paraqitet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore ose në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) që mbulon vendbanimin e aplikuesit.

Në rastet kur kërkesa dorëzohet pranë DRSSH-së, kjo e fundit ja përcjell dokumentacionin Institutit të Sigurimeve Shoqërore për shqyrtim dhe procedim të mëtejshëm.

Bazuar në kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar, struktura përgjegjëse në ISSH plotëson formularin përkatës AL/IT 2, AL/IT 3 ose AL/IT 4, në varësi të llojit të përfitimit të kërkuar (pleqëri, invaliditet, pension i parakohshëm ose familjar), si dhe formularin AL/IT 205, që vërteton periudhat e sigurimit të reflektuara në dosjen e pensionit të tij. Të gjitha formularët i përcillen INPS-it për shqyrtim.

Shembulli numër 2 / Aplikuesi është rezident në Shqipëri dhe i lind e drejta vetëm për pension shqiptar.

Qytetari aplikon online në platformën qeveritare e-Albania, përmes formularit “Aplikim për pension” në varësi të llojit të pensionit të kërkuar.

Nëse gjatë aplikimit konstatohet se nuk plotësohet kushti minimal i sigurimit në Shqipëri (15 vite), qytetari duhet të klikojë kutinë përkatëse që tregon se ka periudha sigurimi jashtë Shqipërisë (p.sh. në Itali apo në ndonjë shtet tjetër).

Përveç dokumentacionit për pension shqiptar, ngarkohet gjithashtu edhe dokumentacioni që vërteton periudhat e sigurimit jashtë shtetit.

Pas marrjes së kërkesës, strukturat përkatëse (DRSSH dhe Drejtoria e Zbatimit të Marrëveshjeve në ISSH), koordinohen për të kërkuar nga INPS, periudhat italiane të sigurimit, (formularin IT/AL 205) ose nëse qytetari ka punuar në ndonjë shtet të tretë me të cilin Shqipëria ka marrëveshje, i drejtohen institucionit përkatës të atij vendi në mënyrë që periudhat përkatëse të përfshihen në vlerësimin e të drejtës për përfitim.

Shembulli numër 3 / Aplikuesi është rezident në Shqipëri i lind njëkohësisht e drejta për pension shqiptar dhe italian

Personi aplikon online në portalin e-Albania, duke zgjedhur Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) që mbulon vendbanimin e tij/ saj.

Gjatë plotësimit të formularit online “Aplikim për pension” (pleqërie, invaliditeti ose familjar), qytetari duhet të plotësojë edhe rubrikën që lidhet me periudhat e sigurimit jashtë Shqipërisë.

Kjo kërkesë trajtohet njëkohësisht si kërkesë për pension në Itali, nëse ngarkohet formati i kërkesës së plotësuar, i cili shkarkohet nga faqja zyrtare e ISSH-së në rubrikën “Marrëveshje ndërkombëtare”/ Formular aplikimi për pension të huaj/ Italia, së bashku me dokumentacionin përkatës.

Struktura rajonale shqyrton kërkesën për pension shqiptar me ose pa bashkim periudhash dhe i përcjell strukturës përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjeve në ISSH kërkesën dhe dokumentacionin për pensionin e huaj së bashku me konfirmimin e periudhave shqiptare të sigurimit.

Bazuar në kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar, struktura përgjegjëse në ISSH plotëson formularin përkatës AL/IT 2, AL/IT 3 ose AL/IT 4, në varësi të llojit të përfitimit të kërkuar (pleqëri, invaliditet, pension i parakohshëm ose familjar), si dhe Formularin AL-IT 205 që vërteton periudhat e sigurimit në Shqipëri, të cilët i përcillen INPS-it për shqyrtim.

Shembulli numër 4 / Aplikuesi është rezident në Itali, nuk përfiton ende pension italian, por i lind e drejta për pension shqiptar me bashkim periudhash.

Personi paraqet kërkesën për pension në INPS, në përputhje me procedurat administrative të institucionit kompetent italian.

Për informacion të detajuar mbi procedurën e aplikimit në Itali, qytetarët mund t’i referohen faqes zyrtare të INPS-it ose strukturave të patronateve apo ndërmjetësve të autorizuar, për të siguruar informimin e duhur dhe shmangien e humbjes së të drejtave për përfitim.

/vizionplus.tv