
Një vatër zjarri është aktivizuar mesditën e kësaj të diele në kodrat me ullishte të fshatit Rërëz, në Patos.
Të favorizuara nga era, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe shkurre. Zjarri është afruar në mënyrë të rrezikshme pranë disa banesave, një kabine elektrike dhe depozitave të vjetra të naftës që ndodhen në zonë.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse të Patosit, Roskovecit, Lushnjes dhe ekipet e Albpetrolit, të cilët po punojnë intensivisht për neutralizimin e flakëve. Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja po kryhet vetëm me mjete të vogla zjarrfikëse, pasi mjetet e mëdha nuk mund të depërtojnë në zonë.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon dhe situata konsiderohet ende e vështirë për t’u vënë plotësisht nën kontroll.
/vizionplus.tv