Izraeli ka urdhëruar evakuimin e palestinezëve nga disa pjesë të veriut të Gazës përpara një intensifikimi të pritshëm të ofensivës ushtarake, ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar thirrjet për një marrëveshje armëpushimi dhe kthimin e pengjeve.

Banorët e qytetit të Gazës dhe të Jabalisë janë udhëzuar të zhvendosen drejt jugut, në zonën bregdetare të al-Mawasit, teksa ushtria izraelite deklaron se operacionet po “zgjerohen drejt perëndimit”.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, të paktën 86 persona u vranë nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit deri të dielën në mesditë. Tre fëmijë u vranë në një goditje ajrore në al-Mawasi, një zonë e konsideruar më parë si e “sigurt”, ku ishin strehuar me familjet e tyre.

Në një reagim të fundit, Trump theksoi se është momenti për të “arritur marrëveshjen në Gaza” dhe për të kthyer pengjet. Ai deklaroi gjithashtu se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është duke negociuar aktualisht me Hamasin.

Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, deklaroi se trupat izraelite janë aktive në veri të Gazës me qëllim “eliminimin e terroristëve dhe infrastrukturës së tyre”.

Banorët dhe ekipet mjekësore konfirmuan për Reuters se bombardimet izraelite janë shtuar ndjeshëm në orët e para të së dielës, duke shkatërruar disa banesa. Në al-Mawasi, pesë persona – përfshirë tre fëmijë nga familja Maarouf – u vranë nga një sulm ajror që goditi një tendë ku strehoheshin të zhvendosurit.

“Na bombarduan teksa flinim në tokë,” tha nëna e tyre, Iman Abu Maarouf. “Fëmijët e mi u vranë, pjesa tjetër është në terapi intensive.” Babai i tyre deklaroi se kishin mbërritur në atë zonë të sigurt një muaj më parë, pas një urdhri nga ushtria izraelite.

IDF nuk dha përgjigje specifike për incidentin, por tha për BBC se “respekton ligjin ndërkombëtar dhe merr masa për të shmangur dëmet ndaj civilëve”.

Po të dielën, një ushtar izraelit 20-vjeçar, rreshteri Yisrael Natan Rosenfeld, u vra gjatë operacioneve në veri të Gazës.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për një marrëveshje armëpushimi janë shtuar. Një zyrtar i Hamasit tha për BBC se ndërmjetësit – përfshirë Katarin – po rrisin përpjekjet për një marrëveshje të re, por bisedimet me Izraelin mbeten të bllokuara.

Netanyahu deklaroi të dielën para agjencisë izraelite të sigurisë Shin Bet se “fitorja ndaj Iranit” krijon mundësi të reja, duke e lidhur këtë me qëllimin për të shpëtuar pengjet dhe për të “mposhtur Hamasin”.

Trump, nga ana tjetër, ka shprehur optimizëm se një marrëveshje armëpushimi në Gaza mund të arrihet brenda javës së ardhshme. Ai ka kërkuar gjithashtu që proceset gjyqësore ndaj Netanyahut – i akuzuar për korrupsion që nga viti 2019 – të ndërpriten, duke i cilësuar si “gjueti politike shtrigash”. Kjo ndërhyrje është kritikuar nga liderë izraelitë të opozitës, të cilët i kujtojnë Trumpit se proceset gjyqësore në Izrael janë të pavarura.

Një armëpushim i mëparshëm, i nisur më 19 janar, u rrëzua në mars pasi Izraeli rifilloi bombardimet, duke kërkuar lirimin e pengjeve. Në të njëjtën kohë, vendi vendosi një bllokadë të plotë të ndihmave humanitare për Gazën, të cilën e zbuti pjesërisht pas 11 javësh presioni nga aleatët perëndimorë dhe paralajmërimeve për rrezik urie masive.

Për të menaxhuar shpërndarjen e ndihmave, u krijua një mekanizëm i ri, Gaza Humanitarian Foundation (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli. Por agjencitë e OKB-së e kanë kritikuar këtë sistem, duke e quajtur “një fushë vrasjeje”, për shkak të incidenteve të shumta ku civilë janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ndihma.

Konflikti aktual nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, mbi 56,500 persona janë vrarë nga ofensiva izraelite./abcnews.al