Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, i ftuar në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plsu, ka folur mbi skenarët e mundshëm të një lufte dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria.

Sipas tij përpos përgatitjes ushtarake, është e nevojshme marrja e masave për sigurimin e rezervave të naftës dhe atyre ushqimore. Pasi rritja e naftës do të sillte automatikisht rritje të inflacionit dhe do të rëndonin xhepat e shqiptarëve.

Pjesë nga biseda:

Sefa: Nëse ka një skenar meqë po flasim për skenarët është ajo e rritjes së çmimit të naftës. Përtej rezervave që ne kemi në vend, nuk duhet të harrojmë diçka që ka shumë vite që me mbylljen e ARMO-s, ne atë që prodhohet këtu e çojmë jashtë për ta rafinuar. Përtej faktit që nafta që ne prodhojmë është e rëndë. Ne importojmë çdo litër naftë. Një rritje e çmimit të naftës, edhe sikur të harxhojmë rezervat strategjike, thjeshtë do ta shtyjmë me 1 muaj apo dy muaj. Pra ne ose duhet të rrisim rezervat ose të diversifikojmë burimet.

Borakaj: Cilat janë tregjet e tjera?

Sefa: Po ka dhe naftë në Afrikë. Ne nuk është se kemi qenë të zgjuar për të programuar këto lloj situatash. Atë që bëri Europa që diversifikoi burimet pas luftës ruse, shkoi në Afrikë. Pra ne duhet të gjejmë burime alternative.

Dika: Ka dhe një problem të natyrë politike, që një krizë e tillë do të ndikonte në xhepat e shqiptarëve. Rritja e naftës do të sillte rritje të inflacionit.

Sefa: Ka një mënyrë që mudn ta mbajmë në kontroll. Është ajo që bëri qeveria kur nisi lufta në Ukrainë, ku ofroi mbështetje për subvencionimin e energjisë.