Partia Socialiste festoi sot 34-vjetorin e themelimit të saj, në një organizim që bëri bashkë në selinë rozë të gjithë ata që kanë kontribuar në formimin e kësaj partie. Gjatë fjalës së tij kryesocialisti Edi Rama bëri një udhëpërshkrim reflektues për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kësaj force politike, teksa u ndal tek rezultati historik i zgjedhjeve të 11 majit, ku PS-ja siguroi 83 mandate.

“Kjo është një ditëlindje që bëhet e veçantë si rezultat i faktit që vjen mbas një fitoreje shumë domethënëse të PS. Një fitoreje e cila vjen me një përgjegjësi më të madhe se asnjëherë tjetër, për vetë faktin se u mëshirua si rezultat i një mbështetjeje më të madhe se asnjëherë për PS. Padyshim që ne nuk i jemi frikësuar dhe nuk i jemi shmangur asnjëherë përgjegjësive që vijnë me fitoret. Kjo unë besoj se është arsyeja kryesore pse ne nuk lodhemi së fituari, pasi nuk lodhuri së ngarkuari veten me përgjegjësi dhe së reflektuari se çfarë mund të bëjmë më mirë”, tha Rama.

Rama tha se mandati i katërt nuk duhet parë thjesht si pushtet, por si një fuqi për vetëkorrigjim, duke nënvizuar se për të ecur përpara, PS duhet të jetë gjithmonë në reflektim dhe përmirësim të vazhdueshëm veçanërisht në misionin e integrimit në bashkimin evropian

“Natyrisht që shumë gjëra që duhen bërë patjetër më mirë kur kjo fitore është e lidhur me një mandat besimi të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin dhe për të anëtarësuar vendin në BE brenda kësaj dekade. Nuk ka arsye më të fortë dhe nuk ka domethënie më të madhe lidhur me përgjegjësinë se ky objektiv, i cili është një objektiv sa i arritshëm dhe tejet i vështirë për tu arritur. Një objektiv sa i afërt aq dhe i lidhur me sa shpejt ne do të jemi në gjendje të përmirësojmë çka duhet përmirësuar”, u shpreh kryeministri.

Kryesocialisti nuk i  kurseu as batutat me veteranet e partis së tij.

“Edhe shokun Gramoz, që sa kohë do ta shoh këtu jam i sigurt që partia është në rrugë e duhur, shqetësohuni ditën kur do mungojë Gramozi, po atëherë s’do jem as unë, kështu që shihni e bëni”, tha Rama.

Partia Socialiste u themelua në qershor të vitit 1991. Kryetari i parë u zgjodh Fatos Nano që e drejtoi deri në vitin 2005, për t’ia lënë më pas vendin Edi Ramës.