
Nga Olta Blaceri
Debati për zgjedhjet e 11 majit u zhvendos sot në Strasburg, në ambjentet e parlamentit europian ku u zhvillua takimi i komitetit te stabilizim asocimit BE-Shqipëri.
Partia socialiste e cila ne 11 maj fitoi 83 mandate premtoi nisjen e punës për reformën zgjedhore që në muajin shtator, ndërkohë që partia demokratike shfrytëzoi takimin në Strasburg për të denoncuar procesin e 11 majit si të parregullt
“Ritheksoj nevojën për të filluar menjëherë në shtator reformën zgjedhore. Dhe sigurisht në reformën e ardhshme zgjedhore duhet të vendosim parashikimin se si do të zgjidhen anëtarët e Parlamentit Europian nga Shqipëria. Cështja tjetër është depolitizimi i komisioneve zgjedhore në nivelin e dytë dhe të tretë. Mendoj se sic bëjmë cdo shtator kur nis legjislatura e re, duhet të nisim reformën elektorale, me consensus sic e kërkon gjithnjë reforma zgjedhore”, u shpreh ministri pë Marrdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
“Është hera e parë, që fjalia e parë e raportit të ODIHR është; në zgjedhje nuk kishtë fushë të barabartë loje. Për herë të parë, në paragrafin e parë, ODIHR thotë se në këtë garë zgjedhore mazhoranca përfitoi nga qënia në pushtet. Pra, në teori ka pasur garë, por garuesit nuk janë lejuar të garojnë në të njëjtat kushte dhe me të njëjtën liri. Reforma e fundit zgjedhore që u realizua me consensus ishte në vitin 2012, kur partia demokratike ishte në pushtet, dhe prej atij momenti nuk ka pasur asnjë reforme me konsensus”, deklaroi nëkryetari i PD, Oerd Bylykbashi.
Qeveria përsëriti ambicjen e saj për të anëtarësuar shqipërinë në be në vitin 2030, por opozita vuri në dukje se pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk mund të ketë sukses në këtë process.
“Vizioni ynë është i qartë, ne duam të mbyllim negociatat në vitin 2027 dhe të sigurojmë anëtarësimin e plotë brenda kësaj dekade”, shtoi Balla.
“Opozita e ka mbështetur këtë proces jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete politike. Por ne duam që ky proces të përdoret realisht për të ndryshuar dhe transformuar vendin. Askush nuk ka nevojë për një proces integrimi ku gjërat ndodhin vetëm në letër, ndërkohë që standardet dhe normat demokratike nuk ndryshojnë në praktikë në vend. Kështu që thirrja ime për të gjithë pjesëmarrësit këtu është: ta përdorim këtë proces, së pari për të ndryshuar zgjedhjet”, tha Tabaku.
Nga ana e tij komisioni evropian theksoi se dialogu politik është i rëndësishëm në procesin e integrimit, duke theksuar se afatet e vendosura nga qeveria shqiptare janë të arritshme.
“Dialogu politik, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës është e vetmja mënyrë për të arritur objektiin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në vitin 2027. Afatet mbi të cilat po punojmë janë ambicioze por të arritshme me punë dhe vullnet të mirë nga të gjitha palët“, tha përfaqësuesu i Komisionit Europiane, Sigrid Brettel.
Takimi i Komitetit te Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri do të vazhdoje edhe neser, e ndryshe nga tradita këtë herë nuk do të ketë asnjë deklaratë të përbashkët.