Kampionati Botëror i Klubeve po dhuron spektakël, befasi dhe surpriza, sidomos nga ekipet që konsiderohen si “pesha të rënda”. Real Madrid dhe Al-Hilal hapën Grupin H të Kupës së Botës për Klube me një barazim 1-1, në një ndeshje të luftuar dhe interesante. Në këtë përballje kishte dy debutime, jo nga futbollistët, por ishin vetë trajnerët.
Xabi Alonso debutoi në stolin e Real Madridit, ndërsa në anën tjetër Simeone Inzaghi debutoi te Al Hilal. Botërori i Klubeve ishte në fokus të emisionit “Botërori i Vogël” në ABC Neës.
Trajneri Nikolin Çoçlli, theksoi se ky eveniment po vlerësohet maksimalisht nga ekipet Amerikane dhe ato të Azisë, kurse nga klubet evropiane duket një lloj nënvlerësimi.
“Ky eveniment ka një suport të jashtëzakonshëm, pavarësisht se Evropa e nënvlerëson. Skuadrat amerikane dhe aziatike japin shpirtin se e kanë ndeshje të jetës. Ata duan të përafrohen me Evropën. Fundi i sezonit është dramatik. pavarësisht se ata kanë stimuj material dhe financiar”, tha ai.
Specialisti i futbollit, Bashkim Deliu, theksoi se sfidë për lojtarët janë ndeshjet e luajtura pasi kjo i konsumon shumë fizikisht.
“Nëse kemi patur 64-68 ndeshje, tani po shkon 72. Duke ardhur çdo vit në rritje. Është rritur konkurrenca dhe rotacioni. Modriç është i veçantë, edhe Ronaldo janë të veçantë. 40-41 vjeç të japësh këtë rendimente, janë të jashtëzakonshëm në përgatitje dhe në inteligjencë. Tjetër motivim ka për ndeshje miqësore dhe tjetër gjë është për të dalë në krye të grupit”, tha ai.
Ndërkohë, Interi barazoi ndaj rivalit meksikan, Monterrei, në ndeshjen e tij të parë në Kupën e Botës për Klubet, ndërsa titullar ishte Kristian Asllani.
Mesfushori I kombëtares shqiptare, edhe pse nuk bëri një paraqitje të shkëlqyer, sërish u tregua aktiv në pjesën e parë, duke marrë pjesë në aksionet e nënkampionëve të Europës, duke ekzekutuar saktë goditje nga këndi dhe goditje dënimi.
Mesfushori shqiptar u tregua i zgjuar në minutën e 42-të, kur nga pasimi i tij u krijua goli i barazimit për Interin, shënuar nga kapiteni Lautaro Martinez. Për Ledio Panon, Kristjan Asllani është një futbollist me vlera të mëdha, ndërsa tha se ai duhet të bëjë më shumë në fazën sulmuese.
“Këto ekipet e vogla kur luajnë me ekipet e mëdha duhet të japin maksimumin. Për ekipet e mëdha, kjo është një fazë përgatitore. Kur vjen një trajner i ri i jep mentalitetin e vet dhe lojtarët kanë atë shtysën që të tregojnë te trajneri, nuk pamë ndonjë Inter të veçantë, por pamë një Inter normal. Kundërshtari ishte i fortë dhe i ashpër. Pasimi shumë i saktë i Asllanit, i cili ishte i punuar në stërvitje dhe e gjeti mbrojtjen gafil. Me rëndësi ishte që Asllani ishte në formacion. Ai i ka cilësitë për të luajtur dhe për të qenë në formacion. Duhet të jetë më aktiv në pjesën përparme. Më pozitiv, dhe më përfshirës në fazën sulmuese”, tha ai.