Pedagogu i shkencave politike, Klejd Këlliçi tha se nuk beson në një përshkallëzim të afërt në nivel global, duke iu referuar tensioneve në Lindjen e Mesme.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizon Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, Këlliçi paralajmëroi për pasoja të rënda nëse fuqitë e mëdha përfshihen drejtpërdrejt në sulmet Iran-Izrael.

Eksperti deklaroi se nëse ndodh Lufta e Tretë Botërore, atëherë do të ishte fundi i historisë.

Sa i përket rolit të Shqipërisë në këto tensione, pedagogu nënvizoi se nuk kemi asgjë në dorë, përveçse të ndjekim aleatët tanë.

Intervista e plotë:

Shtohen zërat se rreziku i një lufte botërore ndoshta nuk është larg. Ju si mendoni?

Këlliçi: Nuk mendoj se do të ketë eskalim drejt një lufte botërore, sepse konflikti është i pozicionuar në Lindjen e Mesme. Ajo që do e bënte konfliktin të shtrihej do ishte pjesëmarrja e ndonjë aktori të tretë, si Rusia dhe Kina. Asnjë nga këta aktorët nuk është përfshirë për momentin dhe nuk mendohet të përfshihet. Të paktën Kina nuk është e interesuar për një konflikt ushtarak pasi nuk ka as kapacitetet për të përballuar një luftë potenciale, e cila do të ishte shkatërrimtare. Lufta e Tretë Botërore, nëse do të ndodhë, do të jetë fundi i historisë. Pra, rrezikojmë të kthehemi në epokën e gurit, për ata pak njerëz që mund të mbijetojnë. Për momentin mendoj se në këtë konflikt do jenë të përfshirë Irani, Izraeli dhe SHBA. Ajo që është problematike, mendoj, është përfshirja e vendeve të tjera të Gjirit Persik, pasi bazat ushtarake amerikane janë të përhapura në Irak, Arabinë Saudite, Kuvajt, në mos gaboj në Jordani, po dhe në Siri. Këto baza mund të jenë objekt i sulmeve.

Vendi ynë është larg zonës së konfliktit, por ethet e armatimit janë gjithandej. Sa të përligjura janë këto ethe?

Këlliçi: Janë të përligjura shumë, sepse ne po jetojmë në një periudhë që i ngjan periudhës së para Luftës së Parë Botërore. Është një garë në të asaj që është perandoria amerikane dhe ngjitja në skenë e aktorëve të rinj, të cilët nuk kanë dallime ideologjike, por që operojnë me atë që quhet ndryshe gjuha e politikës apo forcës. Shtete të ndryshme që mundohen të ndërtojnë hapësira, qoftë ekonomike, qoftë të natyrës së influencës mbi rajonet e tyre. Këto pozita forcash mund të bien ndesh me njëra-tjetrën. Lindja e Mesme është në një pozitë më interesante, se prej vitesh kemi një aktor politik që gjendet në një pozitë të vështirë, siç është Izraeli dhe që qarkullojnë armiqësi të vendeve të ndryshme. Këtu futen edhe për arsye të mënyrës si është ndërtuar situata në Lindjen e Mesme. Pra, është një miks që bota mund të futet.

Në globin tokësor ka dhe shtete të vogla. Çfarë duhet të bëjë një shtet i vogël si ne në këto raste?

Këlliçi: Fuqia ushtarake është e përqendruar në duart e shumë pak vendeve, që e shtojnë këtë fuqi, ndërkohë që fuqia e vendeve të vogla bie akoma më tepër. Për momentin ne jemi të pozicionuar në një aleancë ushtarake, siç është ajo e NATO-s. Kemi një aleancë të privilegjuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një konflikt bërthamor, që nuk besoj se do të ndodhë, vendet e vogla nuk është se vlejnë shumë, sepse qoftë dhe një goditje e vogël e vë në rrezik edhe jetën. Në këto kushte ne bëjmë pjesë në NATO për të pasur një lloj mbështetje apo siguri. Nuk kemi ndonjë gjë të madhe në dorë, përveçse të ndjekim aleatët tanë.

/vizionplus.tv