
Eno Luarasi, gazetar specialist për armatimet tha se operacioni izraelit i ndërmarrë së fundmi ndaj objektivave strategjike iraniane ka qenë rezultat i një planifikimi shumëvjeçar të inteligjencës izraelite dhe forcave të armatosura të IDF-së.
I ftuar në Quo Vadis në Vizion Plus, Luarasi zbuloi detaje mbi teknologjinë e përdorur, rolin e Mossadit dhe efektivitetin e raketave izraelite, të cilat goditën objektiva nga një distancë prej mbi 2,000 kilometrash. Sipas tij, ky është një nga sulmet më të suksesshme të realizuara ndonjëherë nga Izraeli ndaj Iranit.
Luarasi nënvizon se avantazhi i Izraelit qëndron në flotën moderne dhe teknologjinë superiore, ndryshe nga Irani që mbështetet kryesisht tek raketat balistike dhe dronët.
Pjesë nga biseda:
Luarasi: Është një operacion që ka shumë vite që hartohet nga inteligjenca izraelite dhe IDF. Operacioni është miratuar deri në vitin 2010 dhe goditja finale ishte ajo e së premtes. U realizua nga avionët izraelitë, që janë F35 “Adir” dhe avionët F15 “Ram”. Janë prodhim amerikan, por në versione të përshtatura për Izraelin. Janë të pajisur me teknologji që i përshtatet vetëm Izraelit. Njësitë e komunikimit janë posaçërisht për izraelitët. Veç këtyre, Mossadi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm sa i përket fillimit të operacionit. Janë diktuar një pjesë e madhe e bazave ushtarake dhe atyre antiajrore, për të goditur avionët kundërshtarë dhe raketat. Janë përdorur me GPS. Janë përdorur disa raketa që janë prodhim izraelit. Janë montuar në disa stativë dhe janë të telekomanduara në distancë për të kaluar sistemet antiraketore të Iranit.
Borakaj: Deri në çfarë distance godasin?
Luarasi: Është realizuar ditën e diel, goditi nga 2,300 km nga Izraeli. Është goditur një avion që merret me furnizimin në ajër të avionëve të Iranit. Është nga goditjet më të arrira të Izraelit. Dyshohet se është bërë nga një raketë “Golden Horizon” dhe shënon në distanca shumë të mëdha. Lëshohet nga avionët dhe ka rreze deri në 2,000 km.
Borakaj: Kush është superfuqi në armatime në botë?
Luarasi: SHBA, normalisht. SHBA, Kina dhe Rusia.
Borakaj: Po mes Iranit dhe Izraelit?
Luarasi: Irani dominon në numër, por avantazhi i Izraelit është që ka flotë më të avancuar. Flota iraniane është pak e vjetëruar, i përket kohës së Bashkimit Sovjetik. Janë avionë që i përkasin viteve ’70–’80. Forca e vërtetë e Iranit janë raketat balistike dhe dronët. Raketat janë shumë të shpejta, nga momenti që lëshohen, duan vetëm 7–8 minuta për të arritur në Izrael.
/vizionplus.tv