Viti 2024 solli një risi në tregun e automjeteve, pasi për herë të parë ndryshoi trendi i përhershëm i origjinës nga importohen makinat në vendin tonë.

Të dhënat zyrtare flasin se nga 100 mijë mjete të regjistruara për herë të parë në vendin tonë, gjatë viti 2024, 19.1 % e tyre erdhën nga Koreja e Jugut.

Në vend të dytë rezultoi Italia, një partner historik i tregut shqiptarë për importin e makinave.

Ekspertë të fushës janë të mendimit se në Shqipëri autoritetet shtetërore nuk kanë vendosur kufizime në importin e mjeteve, duke e lënë tregun të lirë për të importuar çdo lloj standardi.

“Shqetësimi im lidhet me faktin se vet prodhimi për Azi është për standardin e tyre dhe jo për standardin europian. Pyetja që unë bëj është: A mundet që këto makina që vijnë nga Koreja të shiten në tregun europian? Përgjigja është absolutisht jo. Kjo, jo sepse Europa ka prodhimet e saj, por se këto mjete kanë disa veçori dhe elemente të cilat Europa nuk i pranon”, tha Fatmir Hasho, inxhinier mekanik  gjatë një interviste në Vizon Plus.

Sipas tij, tregu shqiptar është si një han pa porta, ku hyn çdo lloj mjeti me dhe pa standard.

“Është për të ardhur keq. Ne këtu nuk kemi tra, pra nuk kemi kufizime. Tek ne hyn çdo lloj makine. Po na dominojnë ato makina të cilat nuk i përmbushin standardet europiane, atje ku duam të shkojmë”, tha Hasho.

Në vendet e Europës ka një zyrë që njihet si zyra e homologimit. Sipas Hashos në Shqipëri kjo zyrë ekziston si emër, por ajo nuk funksionon.

/vizionplus.tv