Analisti Artur Nura u shpreh se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha pas humbjes së zgjedhjeve duhet të kishte dhënë dorëheqjen.
Në një intervistë në “Edicioni i Fundit” në ABC News, Nura tha se Berisha nuk mund të arrijë të sjellë opozitën në pushtet.
“Zoti Berisha parimisht duhet të jepte dorëheqjen sepse humbi zgjedhjet. Dhe është një statut që ai e rindërtoi, pra sot duhet të jepte dorëheqjen nga partia. Berisha do që të justifikohet tani, pasi i premtoi të gjithë militantëve të tij se do largohej. Kujtojmë këtu edhe nenin Basha që e miratuan po vetë. Por për fat të keq institucioni i dorëheqjes tek ne është i munguar”, tha ai.
Nga ana tjetër avokati Edmond Petraj gjatë fjalës së tij tha se situata në Partinë Demokratike është ende për të ardhur keq dhe se ende është e përçarë.
“PD vetëm falë Berishës merr aq vota. Fakti tregon që Berisha është një mit tek e djathta. Sot që flasim PD është shumë e përçarë”, tha ai.
/abcnews.al/