TIRANË– Kampionati Botëror i Klubeve, i cili po zhvillohet në SHBA, po dhuron spektakël për futbolldashësit.

Inter Miami ka regjistruar një fitore të rëndësishme ndaj FC Portos në kuadër fazës së grupeve të Kupës së Botës për Klube, duke triumfuar me rezultat 2-1 falë një supergoli nga argjentinasi Lionel Messi në pjesën e dytë të ndeshjes.

Skuadra portugeze ishte e para që gjeti rrugën e rrjetës. Në minutën e 18-të, Samu Aggehowa realizoi saktë nga pika e bardhë, duke e kaluar Porton në epërsi me një goditje të fuqishme – 1-0.

Barazimi për Inter Miamin erdhi menjëherë pas pushimit. Marcelo Allende nisi aksionin, pasoi në krahun e djathtë te Marcelo Weigandt, i cili asistoi bukur për Telasco Segovian. Ky i fundit kontrolloi topin dhe me një goditje të saktë barazoi rezultatin në 1-1.
Goli vendimtar u shënua në minutën e 54-të. Lionel Messi, nga një goditje dënimi, lëshoi një perlë që la të shtangur portierin e Portos,  duke i dhënë fitoren ekipit të tij dhe duke shënuar golin e 50-të me fanellën e Inter Miamit.

Trajneri Ermal Tahiri, u shpreh se në Botërorin e Klubeve po vërehet se skuadrat pjesëmarrëse janë shumë të balancuara. Ai theksoi se ekipi ku luan Lionel Messi është një ekip i ri, i cili po formohet dhe po lë gjurmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Të gjitha ekipet, qoftë të lindjes, Evropës dhe Amerikës janë të balancuar dhe nuk të bëjnë përshtypje, janë në balancë me njëra- tjetrën. Inter Miami, është një ekip i ri, që po formohet dhe po lë gjurmë në Amerikë”, tha ai.

Trajneri i njohur, Ledio Pano, i ftuar në emisionin “Botërori i Vogël” në ABC News theksoi se ekipi portugez zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, por shtoi se prezencën në Botërorin e Klubeve po e shfrytëzon për të kryer fazën përgatitore dhe të përfitojë ato të ardhura, që të siguron ky kompeticion.

“Porto ishte një Porto e re. Unë besoj se Porto, më shumë ka ardhur për fazë përgatitore dhe për të marrë ato të ardhura që merr. Pjesën e parë nuk është se luajti keq. Kishte shumë lojtarë të ri dhe besoj se i ka marrë për ti rritur psikologjikisht. Akademitë e Portugalisë janë nga më të mirat”, tha Pano.