SHBA– Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tronditën të shtunë pas dy atentateve me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Mediat shkruajnë se Vance Luther Boelter, 57 vjeç, është identifikuar si autori i dyshuar i sulmeve të armatosura ndaj dy ligjvënësve të Minnesota-s, ngjarje që tronditi vendin në orët e para të së shtunës, 14 qershor.
Ai ishte drejtor i patrullave të sigurisë pranë kompanisë “Praetorian Guard Security”, ndërsa thuhet se ka marrë trajnime nga personel ushtarak amerikan.
I veshur si efektiv policie, Boelter hyri në banesën e ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Minnesota-s, Melissa Hortman, duke e qëlluar për vdekje atë dhe bashkëshortin e saj, Mark.
Më herët ai kishte sulmuar me armë në shtëpinë e senatorit John Hoffman, ku plagosi rëndë atë dhe bashkëshorten e tij, Yvette.
Pas ngjarjeve të rënda ka reaguar edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ishte informuar për të shtënat në Minesota dhe siguroi se “një dhunë e tillë e tmerrshme nuk do të tolerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në një mesazh të lëshuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Trump përsëriti se Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dhe FBI-ja po hetonin dhe do ta ndiqnin autorin e krimit me “ashpërsinë më të madhe”.
“Jam informuar për të shtënat e tmerrshme që ndodhën në Minnesota, të cilat duket të jenë një sulm i synuar kundër ligjvënësve të shtetit. Prokurorja jonë e Përgjithshme, Pam Bondi, dhe FBI-ja po hetojnë situatën dhe do të ndjekin penalisht këdo që është i përfshirë me të gjitha fuqitë ligjore.
Një dhunë kaq e tmerrshme nuk do të tolerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti i bekoftë njerëzit e mëdhenj të Minnesotës, një vend vërtet i mrekullueshëm!”, thuhet në reagim.