“Katastrofa humanitare që po dëshmojmë në Gaza duhet të ndalet menjëherë”, thanë Franca, Britania dhe Gjermania në një deklaratë të përbashkët.

Duke reaguar ndaj paralajmërimeve të OKB-së dhe organizatave joqeveritare për një rrezik kritik nga uria, tre vendet evropiane i bënë thirrje qeverisë izraelite “të heqë menjëherë kufizimet në shpërndarjen e ndihmës”.

Franca, Britania dhe Gjermania gjithashtu i kujtuan Izraelit se “duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.

“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës në Gaza”, shtuan ata, duke i nxitur “të gjitha palët” të ndalojnë luftimet dhe të arrijnë një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, ata përsëritën gjithashtu kërkesën e tyre për lirimin e pengjeve izraelite dhe çarmatimin e Hamasit.

Në të njëjtën kohë, ata “kundërshtojnë fuqimisht çdo përpjekje për të imponuar sovranitetin izraelit në territoret e pushtuara palestineze”.

“Kërcënimet, përpjekjet dhe veprimet e dhunshme nga kolonët kundër palestinezëve minojnë perspektivën e një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete”, vunë në dukje ata.

Të enjten, kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se do të diskutonte situatën në Gaza me homologët e tij francezë dhe gjermanë.

Deklarata nuk specifikoi nëse ishte shkruar para apo pas atij komunikimi./vizionplus.tv