Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha ditën e sotme se Hamasi nuk duhet ta interpretojë qëllimin e Izraelit për të arritur një marrëveshje armëpushimi  në Gaza si “dobësi”.

Më parë, zyra e Kryeministrit Netanyahu njoftoi tërheqjen e negociatorëve nga Doha pas përgjigjes së Hamasit ndaj planit të propozuar të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve.

“Ne po punojmë për të siguruar një marrëveshje të re për lirimin e pengjeve tona. Por nëse Hamasi e interpreton qëllimin tonë për të arritur një marrëveshje si dobësi, si një mundësi për të na imponuar kushte kapitullimi që do të rrezikonin shtetin e Izraelit, po bën një gabim të madh”, tha Netanyahu në një aktivitet në Jerusalem.

“Jemi të vendosur të arrijmë të gjitha qëllimet tona në këtë luftë”, theksoi ai.

“Jemi të vendosur t’i kthejmë të gjithë dhe kjo është ajo që do të bëjmë”, shtoi Netanyahu, duke iu referuar pengjeve të mbetura në Rripin e Gazës pas sulmit të paprecedentë të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.

Në fjalimin e tij, Kryeministri Netanyahu nuk harroi të përmendte konfliktet në Sirinë jugore, duke siguruar se Izraeli “nuk do t’i braktisë vëllezërit Druzë” në rajon.

“Ne do të sigurohemi që zona në jug të Damaskut, pranë kufijve tanë, të çarmatoset”, tha kryeministri izraelit, duke shtuar se “ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të ndihmuar dhe mbrojtur Druzët”.