Pas ultimatumit të Gjykatës Kushtetuese që konstituimi i Kuvendit të Kosovës të bëhet brenda 30 ditëve, deputetët janë mbledhur sërish këtë të premte në përpjekjen e tyre të 38-të.

Kryeministri Albin Kurti, nga ana tjetër, i ka ftuar liderët politikë për një takim të përbashkët, në përpjekjen e radhës për të arritur konsensusin mbi konstituimin.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me moderator Erion Zeqiraj, analisti Ylli Hoxha tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të shërbejë si një nxitje për kompromis mes partive.

Hoxha shtoi se ftesa e z. Kurtit për takim me krerët e partive politike është një shenjë e mirë, teksa shpreson në një kompromis mes tyre.

Intervista e plotë:

Sa do të ndikojë në zgjidhjen e krizës politike ultimatumi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit?

Hoxha: Shpresoj që subjektet politike do ta përdorin për mirë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi, si i tillë, nuk përmban asnjë masë sanksionuese. Nëse tejkalohet afati, Gjykata Kushtetuese nuk parasheh asgjë. Është një çështje ndërgjegjeje nga ana e subjekteve politike që t’i përfillin me mirëbesim instruksionet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese. Nëse ata nuk e bëjnë, kriza mund të vazhdojë edhe më tej. Ajo që ka bërë Gjykata Kushtetuese, ndonëse është e rëndësishme, është fakti që ka kualifikuar këtë bllokim të Kuvendit si cënim të rendit kushtetues demokratik të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka ftuar nesër pasdite në takim krerët e partive politike. Çfarë prisni nga ky takim?

Hoxha: Është një shenjë e mirë. Shpresojmë që subjektet politike të shkojnë me mirëbesim dhe në frymë kompromisi. Deri më sot, nuk kemi parë një gjuhë të tillë nga Lëvizja Vetëvendosje, por as nga Lidhja Demokratike. Më të buta kanë qenë Partia Demokratike dhe Aleanca. Unë shpresoj se këto dy të fundit do të luajnë një rol kyç në zgjidhjen e kësaj situate. Shpresoj të gjendet një emërues i përbashkët që të ecet përpara.

Kujt i shkon më për shtat kjo kokëfortësi? Z. Kurtit apo partive opozitare që nuk tërhiqen?

Hoxha: Sondazhet politike tregojnë se e gjithë skena politike ndikohet nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga ana tjetër, humbja në këtë betejë do të thoshte edhe humbjen e ulëses së kryeministrit. Ndaj, është një betejë e rëndësishme për Kurtin. Me afrimin e zgjedhjeve lokale, është bërë edhe më e vështirë për të gjetur kompromisin. Të shpresojmë që ky impuls i Gjykatës Kushtetuese do t’i ketë ndryshuar gjërat sadopak.

Seanca e radhës do të jetë të dielën. A besoni se do të konstituohet Kuvendi dhe kush nga palët do të tërhiqet?

Hoxha: Partia Demokratike dhe Aleanca kanë përmendur emra si Glauk Konjufca dhe Saranda Bogujevci si udhëheqës të pranueshëm të Kuvendit. Me një lëvizje të vogël, kjo gjë mund të tejkalohet. Problemi nuk ka qenë te kryetari i Kuvendit aq shumë, sa te shumica për të krijuar qeverinë. Dhe në pamundësi për ta siguruar atë, është zgjedhur si rrugë e lehtë bllokada.

/vizionplus.tv