
Kriza e punëtorëve që ka prekur të gjithë sektorët e ekonomisë duket se po ndikon dhe në humbjen e orgjinalitetit.
Vasil Bedinaj, operator turistik nga Vlora thotë se në këtë qytet vështirë se gjen njerëz të papunë, të cilët duan të punojnë. Kërkesa për punë është e lartë, sidomos në sezon.
Sipas tij bizneset e këtij qyteti i kanë ezauruar kërkimet për punëtorë në qytet, madje dhe në qytete përrreth, ndaj po importojnë punëtorë nga jashtë.
Por kjo sipas tij po ndikon në humbjen e identitetit.
“Kush kërkon punë në qytetin tonë e gjen atë brenda dy orësh. Ne kemi marrë punonjës nga çdo qytet tjetër. Tashmë kemi kohë që punojmë me të huaj. Por një gjë është e sigurt që shprehjka tipike “Çfarë do pish o vëlla” nuk e dëgjon më në qytetin tonë. Biznese janë plot me punëtorë të huaj të cilët çdo vit e më shumë po shtohen”, tha Vasil Bedinaj gjatë një interviste në Vizion Plus.
Sipas Bedinajt pagat e punonjësve janë të konsoliduara prej disa vitesh. Në Vlorë pagat nisin nga 800 euro deri në 3-4 mijë euro sipas profesionit
“Pagat për punonjës sanitare fillojnë nga 800 euro. Kamarieri 1000 euro, kuzhinjeri i parë 2000 euro. Niveli i menahxerëve 3000 euro.Të gjithë janë të konsoliduar në kontratata pune”, tha Bedinaj.
Por a jepen këto paga për një pune 8-orëshe?
“Pagat janë për një orar prej 8 – 9 orë nga momenti që punonjësi vjen në biznes. Nuk bëhet fjalë për punë nga mëngjesi deri në darkë”, sqaroi Bedinaj.
Sezoni veror sjell një “boshatisje” të qyteteve nga kamarierët, pasi këta të fundit zhvendosen në jug të vendit për 3-4 muaj. Shumica e tyre punojnë 16 orë në ditë.
/vizionplus.tv