
Gazetari Arbër Hitaj tha se në Partinë Socialiste mund të ketë surpriza pas rinumërimit të votave për PD-ASHM, pasi sipas tij mes kandidatëve të PS-së gara ishte shumë e ngushtë, dhe tjetërsimi brenda demokratëve do të sjellë dyshime.
Në studion e “Quo Vadis” në Vizon Plus, Hitaj nënvizoi se nëse ka qindra vota të ndryshuara, nuk ka të bëjë me një gabim njerëzor, por me porosi, qofshin ato politike apo porosi klanesh.
Gazetari shtoi se në Kod parashikohen 3-4 vite burg për komisionerët që kanë mbyllur sytë gjatë numërimit.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: A mendoni që është interesante ajo që ndodh në PS tani që do të rinumërohen votat, ku gara ishte shumë e fortë mes kandidatëve? A do të sjellë surpriza?
Hitaj: Edhe mundet. Gara mes Gjylametit dhe Xhaçkës ishte shumë e ngushtë. Deri në 1% kemi të bëjmë me një gabim njerëzor, sepse kemi një numërim manual dhe mund të jetë kjo arsyeja. Tani, ajo që është dilema e madhe është, kemi të bëjmë me porosi nga qendra e partisë, kemi të bëjmë me gabime njerëzore apo me klane politike? Nëse ka qindra vota që ia kanë hequr një kandidati dhe ia kanë çuar një tjetri, këtu kemi të bëjmë me një porosi. Kjo mbetet për t’u parë. Unë këtu dua të shoh nga ky proces. Fillon që këtu, s’mund të kërkosh liri vote për shqiptarët, kur manipulohet vota brenda partisë. Kanë bërë një gabim shumë të madh, sepse kanë marrë në qafë edhe njerëz. Kodi parashikon deri në 3-4 vite burg për komisionerët që kanë mbyllur sytë gjatë numërimit.
/vizionplus.tv