
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendimin për mbrojtje të përkohshme për 50 persona, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Analisti Ylli Hoxha e sheh këtë si një mundësi për kryeministrin Kurti, në mënyrë që të bëhet më i pranueshëm në Uashington.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Hoxha tha se Kosova është një vend i vogël dhe nuk do të ndikojë në trazirat që janë krijuar në SHBA nga kjo çështje.
Sa i përket krizës politike në Prishtinë, analisti u shpreh se ende nuk është e qartë nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja.
Intervista e plotë:
A ka pasur reagime në Prishtinë nga ky vendim i qeverisë?
Hoxha: Për çudi më shumë kemi reagime në Tiranë sesa në Prishtinë. Vendimi i qeverisë është marrë si i mirëqenë në përputhje me një sentiment të përgjithshëm të popullit të Kosovës që kërkesat që vijnë nga Uashingtoni mos të jenë të diskutueshme. Nuk bëhet fjalë për solidarizimin që do të kemi. Bëhet për një gjë që është e konceptueshme nga aspekti moral, i vlerave. Është një çështje që moralisht është e diskutueshme edhe në vetë SHBA dhe ka krijuar trazira. Por ja ku jemi, jemi një shtet i vogël, i cili nuk mendoj se mund të kontribuojë në këtë debat.
Kosova më parë ka pranuar të strehojë edhe refugjatët afganë. Po këto veprime të tilla të qeverisë së Prishtinës a kanë luajtur ndonjë rol në opinionin publik apo në politikën e Kosovës?
Hoxha: Kërkesa për afganët dhe po ashtu për refugjatët nga Ukraina ka një dimension tjetër. Nuk është dashur të diskutohet fare. Pra, ata janë strehuar në Kosovë përkohësisht deri sa kanë mbërritur në SHBA. Nuk është moralisht në rregull mënyra si po e bën administrata Trump, por Kosova është aty ku është. Është një shtet i vogël dhe mezi pret që të bëhet faktor i rëndësishëm për të plotësuar një kërkesë të tillë. Kjo vlen edhe për Shqipërinë që pranoi kërkesën e Italisë.
Marrëveshja e Kosovës me Danimarkën për të dhënë me qira disa burgje. Po kjo, a është parë si një operacion komercial?
Hoxha: Çështja me danezët ka qenë më atraktive për mediat dhe për opinionin publik. Aty ka pasur një kontradiktë që ka buruar edhe nga vetë Danimarka. Ajo ka pasur një debat paksa më të ashpër në Republikën e Kosovës dhe ka pasur edhe ngecje që kanë ardhur si pasojë e shkeljeve ligjore që kanë ndodhur. Por jo në përmasën e ndonjë tërmeti politik. Kjo e SHBA-së, më shumë në Kosovë do të interpretohet si një mundësi për zotin Kurti që të bëhet më i pranueshëm për Uashingtonin në kohën kur ai nuk po arrin të hapë derën e Kryeministrisë, sesa do të sfidohet si ide e solidarizimit me SHBA.
Kriza politike në Prishtinë, a duket se opsioni i fundit që mbetet është shpallja e zgjedhjeve të reja?
Hoxha: Ende nuk e kemi të qartë. Kemi pasur disa takime interesante mes Kurtit dhe liderit të PDK-së. Ndonëse për çështje të tjera, por kanë filluar të shpejtohen këto fotografi. Besoj do të bëhet tentativë që të zhduket kjo krizë. Ndoshta do të marrë kohë, ndoshta edhe 4 vjet do të kalojnë për të zgjidhur këtë ngërç.
/vizionplus.tv