Avokati Ili Gërdupi tha më studion e Quo Vadis në Vizion Plus se çmimet e veshjeve shiten deri në 50 herë më shumë se sa është paguar në fabrikë.

Gërdupi nënvizoi se shumë kompani nuk kanë fabrikat e tyre, thjeshtë kanë kontrata me fabrika të mëdha.

Ai shtoi se kompania thjesht ka magazinën, ku përzgjedh materialin dhe dizajnin.

“Shumë kompani të mëdha nuk kanë fabrika. Mund të kenë një magazinë, por kaq. Ata zgjedhin materialin dhe dizajnin. Kanë të drejtat e patentës, të dizajnit dhe kontrata me kompani prodhuese. Kanë një kontratë që thotë: ‘Dua kaq sasi me këtë çmim’. Çmimi që i paguhet fabrikës, krahasuar me çmimin e shitjes, ka një diferencë të madhe, 20 herë, madje edhe 50 herë. Dhe kjo është e padrejtë. Produkti nuk ka vlerë aq të madhe sa ka mendja e personit që e ka krijuar atë.

Nëse ne sot do të vazhdojmë të marrim gjithmonë produkte false, ose do të bëjmë një tjetër shkelje, kur produkti është origjinal, por ai që e importon nuk ka të drejtën përkatëse, atëherë në momentin që jemi të gatshëm të shkelim këto parime, të dëmtuarit janë kompanitë shqiptare. Sepse ato nuk mund të konkurrojnë dot me markat dhe brandet e mëdha”,  tha Gërdupi në Quo Vadis, në Vizion Plus.