
Denis Bajroviç (Bajri), i shumëkërkuari nga SPAK, është ekstraduar këtë të mërkurë nga Dubai për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.
Operacioni u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar të Interpol Tiranës me autoritetet e Emirateve, si pjesë e aksionit të koduar “The Wanted”.
37 vjeçari rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale.
Denis Brajoviç, u arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, në muajin shkurt 2024, rreth 7 muaj pasi SPAK e shpalli atë në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, rreth orës 16:30, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi D. B, në përfundim të procedurave iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme së Burgjeve.
/vizionplus.tv