Një operacion policor i koduar “Pritja” është finalizuar me sukses nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, duke çuar në arrestimin e një shtetasi kosovar që po tentonte të shiste një sasi kokaine.

I arrestuari është L. H., 36 vjeç, lindur në Kosovë dhe banues në Tiranë. Ai u kap në flagrancë në Rrugën e Arbërit, në qytetin e Klosit, teksa po priste për t’i shitur një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë një shtetasi tjetër, me të cilin kishte rënë më herët në marrëveshje.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pako me kokainë. Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personit që do të blinte lëndën narkotike.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia e Dibrës thekson se operacione të tilla do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

/vizionplus.tv